Aeroporti i Vlorës nuk do të hapet këtë verë, anulohen charterat me nordikë
Mungesa e certifikimit pezullon fluturimet, ndërsa turizmi humbet kontrata për sezonin veror.
Aeroporti i Vlorës nuk do të nisë operimet gjatë kësaj vere, duke sjellë pasojat e para në sektorin e turizmit me anulimin e fluturimeve charter nga vendet nordike. Vendimi është komunikuar këtë javë nga autoritetet për turoperatorët, të cilët kishin planifikuar sjelljen e turistëve drejt jugut të vendit përmes këtij aeroporti.
Sipas operatorëve të tregut, shkak kryesor mbetet mungesa e certifikimit të plotë, pavarësisht se infrastruktura fizike është drejt përfundimit. Kjo ka detyruar anulimin e kontratave të tipit “allotment”, që përfshinin rezervime paraprake hotelesh, kryesisht në zonën e Vlorës.
Anulohen fluturimet, por mbetet interesi
Përfaqësues të industrisë konfirmojnë se fluturimet charter nga vendet nordike janë anuluar për këtë sezon, ku ishin planifikuar të paktën tre fluturime në javë. Megjithatë, Shqipëria vijon të mbetet në fokusin e këtyre tregjeve për vitin e ardhshëm.
Sipas marrëveshjeve paraprake, për sezonin e ardhshëm pritet një rritje e interesit, me deri në pesë chartera në javë nga Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Danimarka.
Viti i dytë me probleme për turizmin
Kjo është hera e dytë që moshapja e aeroportit ndikon negativisht në planifikimet turistike. Edhe vitin e kaluar, fluturimet e planifikuara për në Vlorë u devijuan drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, me transferim të turistëve me autobus drejt jugut.
Për këtë sezon, disa hotele kishin marrë edhe pagesa paraprake nga partnerët e huaj, ndërsa anulimet krijojnë pasiguri dhe humbje të mundshme për bizneset lokale.
Pengesa ligjore dhe shtyrje afatesh
Situata në aeroport mbetet e ndërlikuar edhe për shkak të një konflikti ligjor mes aksionerëve kryesorë të konsorciumit që ka në zotërim projektin. Kjo ka ndikuar në vonesën e proceseve të nevojshme për vënien në operim.
Ndërkohë, burime pranë institucioneve bëjnë me dije se afati fillestar për hapjen në verë ishte i pamundur dhe është kërkuar shtyrje e operimit deri në muajin shtator.